Skip to content Skip to sidebar Skip to footer

Simptomat e depresionit

Simptomat e Depresionit

Humor apo thënë ndryshe gjendje shpirtërore përkufizohet emocioni i përgjithshëm dhe i qëndrueshëm që përjetohet brenda personit dhe që ndikon në sjelljen dhe perceptimin për botën e në mënyrën se si njerëzit reagojnë ndaj stimujve. Afekti është shprehja e jashtme e humorit.. Personat e shëndetshëm përjetojnë shumëllojshmëri humoresh dhe kanë një repertor po aq të madh të shprehjeve afektive. Ata ndiehen në kontroll të humorit të tyre.

Çrregullimet e humorit përfshijnë një spektër të madh çrregullimesh. Depresioni bën pjesë tek çrregullimet e humorit dhe është një prej sëmundjeve mendore më të zakonshme. Ai është një sëmundje serioze që mund të përkeqësohet pa trajtimin e përshatshëm. Tabloja klinike e tij varion shumë dhe nuk ekziston një simptomë të vetme që të jetë e pranishme kurdoherë. Simptomat mund të ndryshojnë në ashpërsi, frekuencë dhe kohëzgjatje. Simptomat gjithashtu mund të jenë të vazhdueshme ose jo të pranishme gjatë gjithë kohës, por që rikthehen. Sipas DSM-IV-ës, simptomat duhet të jenë të pranishme, gjatë të njëjtës periudhë dy javore dhe duhet të paraqesin ndryshim nga funksionimi i mëparshëm. Simptomat e depresionit mund të klasifikohen në mënyra të ndryshme. Një klasifikim i përshatshëm dhe i thjeshtë i larmishmërisë së simptomave është si vijon:

Simptomat e depresionit:

  • Afektive

 Humori i deprimuar
 Anhedoni
 Ankth

  • Vegjetative

 Çrregullimi i gjumit
 Çrregullimi i oreksit
 Humbje e energjisë
 Humbje e libidos
 Prapambetje psikomotore
 Axhitacioni psikomotor

  • Motivacional

 Humbje e interesit për veprimtaritë e zakonshme
 Vështirësi në përqëndrim
 Mendim ose veprim suicidal

  • Somatike

Ankesa fizike

  • Simptoma kognitive

Ndjenja e fajit, pavlerësisë dhe e vetëvlerësimit të ulur

Vështirësi në përqëndrim

Psikoza

  • Humori i deprimuar është ndjenja subjektive e hidhërimit. Ai mund të përshkruhet si trishtim, mërzi, që ndërhyn në aktivitetin e përditshëm të personit që e përjeton duke dominuar atë.
  • Anhedonia përkufizohet si paaftësia për të përjetuar kënaqësi.
  • Ankthi është një emocion i karakterizuar nga ndjenja e tensionit, shqetësimit mendor dhe ndryshime fizike si rritja e tension arterial, shpeshtim i frymëmarrjes, rrahje zemre të shpejta, djersitje, ndjenja e mbytjes, dhimbje gjoksi, ndjenja të ftohti ose të nxehti, mpirje, dridhje në pjesë të ndryshme të trupit etj. nga burime që nuk janë të dukshme nga personi që e përjeton ose që nuk është në përshatje në intensitet, kohëzgjatje me burimin e perceptuar të rrezikut.
  • Crregullimi i gjumit është i pranishem në rreth 75% të rasteve. Mund të jetë në formën e pakësimit të gjumit (insomnia), shtimit të tij (hypersomnia), cilësi jo të mirë të tij. Insomnia mund të jetë në formën e vështirësisë për të rënë në ghumë (pagjumësia e fillimit), zgjime gjatë gjumit (pagjumësia e mesme), zgjimi herët në mëngjes (pagjumësia terminale).
  • Crregullimi i oreksit mund të jetë në formen e ritjes anormale të oreksit (hyperphagisë),  shtimit në peshë, humbjes së oreksit (anoreksisë), rënies në peshë, ose ngrënie të babëzitura.
  • Humbja e energjisë është shpeshtë e  karakteristike. Pacientët lodhen shpejt dhe kanë humbje të energjisë për të kryer aktivietet që kryenin më parë, ndiehen si “të shkarkuar”.
  • Pakësimi ose hubja e libidos, interesit dhe energjise seksuale është një nga simptomat. E shpeshtë tek meshkujt ështe impoteca. Femrat shpesh përjetojnë vështirësi ose mungesë të arritjes së orgazmës.
  • Prapambetja psikomotore shprehet në formën e vonesës, prapambetjes si në të menduar,   folur, vepruar. Pacientët mund të vonohen në kthimin e përgjigjeve, flasin pak, rrallë, jospontanisht, me ton monoton, me pauza të gjata, lëvizin ngadalë.
  • Axhitacioni psikomotor haste në disa pacientë, në formën e paaaftësisë për tu qetësuar, për të ndenjur ulur apo për të qëndruar në një vend. Ata mund të bëjnë përpjekje për të lehtësuar nervozitetin me gjeste si lëvizje lart e poshtë, shkundja e duarve, shkulja e flokëve, ngrënia e thonjve etj..
  • Humbja e interesit për veprimtaritë e zakonshme, të cilat u duken fare kot, pa kuptim, aspak intersante dhe shpesh pacientë nuk përfshihen në aktivitete sociale deri në izolim social.
  • Mendimet ose veprimet suicidale (vetëvrasëse) janë komplikacioni më serioz i këtij çrregullimi. Ideacioni suicidal prek 60% të pacientëve me këtë çrregullim dhe 15 % e ktyejnë aktin e suicidit.
  • Ankesat somatike (trupore) janë të shpeshta dhe ndonjëherë mund të jenë maifestimi i vetëm i kësaj sëmundje. Këto simptoma mund të jenë në formën e dhimbjes së kokës, dhimbjes së shpinës, konstpacionit, të vjellat, nauzea, gojës së thatë, simptoma genitourinare etj..
  •  Përmbajtja e të menduarit është shpesh e varfër, pesimiste, me ndjenja pavlerësie, faji. Njerëzit e deprimuar kanë shpesh karakteristike humbjen e shpresës për të ardhmen. Shpesh kanë vështirësi për të marrë vendime. Simptomat janë më të shprehura në mëngjes.
  • Vështirësitë  në përqëndrim hasen shpesh në këtë lloj çrregullimi. Ata nuk janë në gjendje të fokusohen në veprimtari të kohës së lirë si leximi, marrja me aktivitete sportive, ,shikimi i programeve televizive, aktivitete të tjera që më parë i kryenin me kënaqësi. Shpesh ankohen për problem me kujtesën, vështirësi për të mbajtur mend sepse janë të preokupuar me mendimet e tyre brendshme, ruminuese.
  • Psikoza haset në disa raste, në rastin e depresionit me tipare psikotike. Haluçinacionet dhe/ose deluzionet janë zakonisht humor-përputhëse. Psh.: pacientët e deprimuar e psikotikë mund të kenë bindjen se po dënohen nga Zoti se janë mëkatarë, se persekutohen nga të tjerët se kanë kryer faje.

Shqyrtimi i kujdesshëm i ankesave dhe kërkimi po aq skrupuloz për simptoma të fshehura, orienton në vënien e diagnozës dhe në fillimin e hershëm të një trajtimi, duke sjellë si rezultat përmirësimin e cilësisë së jetës.

Referenca: 
Kaplan & Sadock, clinical psychiatry, fifth editionRobert J. Valdinger, Psikiatria per studentët e mjekesisë, perkthyer nga Anastas SuliHealthline, Valencia Higuera, 2021 “Symptoms of depression” 

Klinika EGO
Politika e Cookie-ve

Kjo faqe interneti përdor cookies në mënyrë që të mund t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme të përdoruesit. Informacioni i cookies ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione si njohja juaj kur riktheheni në faqen tonë të internetit, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat pjesë të faqes ju duken më interesante dhe të dobishme.

Për më shumë informacion, vizitoni faqen Politika e Cookie-ve