Çfarë Është Sindroma Imposter?
Sindroma e mashtruesit (Imposter Syndrome) është një fenomen psikologjik, ku individi ndjen se sukseset e tij nuk janë rezultat i aftësive reale, por i fatit, rastësisë ose gabimeve të të tjerëve. Edhe kur ka prova konkrete të arritjeve të veta, personi jeton me frikën se një ditë do të “zbulohet” si i paaftë dhe manifestohet si grumbull mendimesh negative për veten.
Nëse e gjen veten duke thënë….
- “Isha thjesht me fat, nuk ishte aftësia ime.”
- “Nuk jam aq e zonja/i zoti sa mendojnë të tjerët.”
- “Kushdo tjetër do ta bënte më mirë se unë.”
- “Një ditë do e kuptojnë që nuk jam aq i/e aftë.”
- “Nuk e meritoj këtë sukses.”
- “Ende nuk jam gati, më duhet të mësoj edhe më shumë.”
- “Po e ekzagjerojnë atë që kam bërë.”
….Mund të jesh duke përjetuar sindromën imposter.
Ky koncept u përshkrua për herë të parë në vitet 1970 nga psikologet Pauline Clance dhe Suzanne Imes, të cilat e vunë re fillimisht tek gratë me arritje të larta akademike dhe profesionale. Sot dihet se kjo sindromë mund të prekë çdokënd, pavarësisht moshës, gjinisë apo statusit profesional.
Sipas studimeve psikologjike, rreth 70% e njerëzve e përjetojnë sindromën e mashtruesit të paktën një herë gjatë jetës, ndërsa gratë raportojnë simptoma më të shpeshta dhe më intensive krahasuar me burrat. Simptomat e ankthit dhe depresionit shpesh shoqërojnë sindromën e mashtruesit (Imposter syndrome).
Si Manifestohet Sindroma E Mashtruesit?
Sindroma e mashtruesit (Imposter Syndrome) nuk është një sëmundje mendore e diagnostikueshme. Termi zakonisht zbatohet për inteligjencën dhe arritjet, megjithëse ka lidhje edhe me perfeksionizmin dhe kontekstin shoqëror. Mund të shfaqet në kontekstin e punës, marrëdhënieve,rrethit social dhe formimin e vetes gjë që na pengon të kemi vetëbesimin që kemi fituar dhe që meritojmë të ndiejmë.
Sindroma e mashtruesit shfaqet përmes një kombinimi simptomash emocionale, kognitive dhe sjellore.
Manifestime psikologjike
- Dyshim i vazhdueshëm ndaj vetes, edhe pas rezultateve pozitive
- Ankth i shtuar para prezantimeve, provimeve ose përgjegjësive të reja
- Zë kritik i brendshëm që minimizon çdo arritje
- Frikë nga gabimet dhe dështimi
Manifestime në sjellje
- Perfeksionizëm i tepruar
- Punë e vazhdueshme për të “provuar vlerën” personale
- Shmangie e sfidave ose roleve të reja
- Vështirësi për të pranuar komplimente dhe vlerësime
Studimet tregojnë se sindroma e mashtruesit (Imposter Syndrome) lidhet ngushtë me ankthin, depresionin dhe burnout-in, veçanërisht tek gratë që punojnë ose studiojnë në mjedise shumë konkurruese.
Sindroma e mashtruesit jo vetëm që mund të ndikojë në ndjenjat tuaja të brendshme në lidhje me punën ose vetëvlerësimin tuaj, por mund të ndikojë edhe në mënyrën se si i qaseni projekteve, marrëdhënieve ose çdo fushe tjetër në të cilën ndiheni të pasigurt.
Si Të Kuptoj Nëse Kam Sindromën E Mashtruesit?
Fillimisht, sindroma e mashtruesit u identifikua kryesisht tek gratë me arritje të larta akademike dhe profesionale. Kjo ndodhi sepse shumë prej tyre, pavarësisht suksesit të dukshëm, përjetonin ndjenja të forta dyshimi ndaj vetes dhe frikë se nuk e meritonin pozicionin apo vlerësimin që kishin arritur. Tek gratë e arrira, kjo lidhet shpesh me presionin për të qenë vazhdimisht perfekte, pritshmëritë e larta shoqërore dhe tendencën për të minimizuar arritjet personale, duke ia atribuar suksesin fatit ose rrethanave të jashtme.
Me kalimin e kohës, sindroma e mashtruesit është njohur si një fenomen shumë më i përhapur, që mund të prekë këdo, pavarësisht statusit shoqëror, fushës së punës, nivelit të aftësive apo shkallës së ekspertizës.
Edhe pse sindroma e mashtruesit nuk është e klasifikuar si çrregullim i shëndetit mendor në Manualin Diagnostikues dhe Statistikor të Çrregullimeve Mendore (DSM-5-TR), ajo është mjaft e zakonshme.
Nëse po pyesni veten nëse mund të përjetoni sindromën e mashtruesit, mund të reflektoni mbi këto pyetje:
- A e kritikoni veten edhe për gabimet ose të metat më të vogla në punën tuaj?
- A ia atribuoni suksesin tuaj fatit, rastësisë apo faktorëve të jashtëm, duke nënvlerësuar aftësitë tuaja?
- A ndiheni shumë të ndjeshëm edhe ndaj kritikave konstruktive?
- A keni frikën e vazhdueshme se një ditë do të “zbuloheni” si të paaftë ose si mashtrues?
- A e minimizoni ekspertizën tuaj, edhe në fusha ku objektivisht jeni shumë të aftë?
Nëse shpesh e ndieni veten sikur nuk e meritoni suksesin që keni arritur, biseda me një terapist ose psikolog në Tiranë mund të jetë shumë e dobishme. Mendimet negative, dyshimi i vazhdueshëm ndaj vetes dhe vetë-sabotimi, që shpesh shoqërojnë sindromën e mashtruesit, mund të ndikojnë në karrierë, marrëdhënie dhe mirëqenie emocionale.
Lidhja Mes Sindromës Së Mashtruesit Dhe Çrregullimeve Të Tjera Psikologjike
Edhe pse sindroma e mashtruesit (Imposter Syndrome) nuk është e klasifikuar si çrregullim i shëndetit mendor në DSM-5-TR, studimet tregojnë se ajo lidhet ngushtë me ankthin dhe depresionin, veçanërisht tek individët me vetëvlerësim të ulët dhe perfeksionizëm të lartë.
Për disa njerëz, sindroma e mashtruesit mund të shërbejë si motivim por kjo shpesh shoqërohet me ankth të vazhdueshëm. Personi përgatitet në mënyrë të tepruar ose punon më shumë seç duhet, nga frika se mos “zbulohet” si i paaftë. Me kalimin e kohës, ky ankth intensifikohet dhe mund të çojë edhe në depresion.
Kështu krijohet një rreth vicioz: çdo sukses justifikohet si rezultat i lodhjes ekstreme, fatit ose përgatitjes së tepruar, jo i aftësive reale. Edhe përvojat pozitive, si një prezantim i suksesshëm apo një situatë sociale e menaxhuar mirë, nuk e ndryshojnë bindjen e brendshme: “Nuk e meritoj të jem këtu.”
Shumë njerëz që përjetojnë sindromën e mashtruesit nuk flasin hapur për ndjenjat e tyre dhe luftojnë në heshtje, njësoj si individët me çrregullime ankthi, duke e përjetuar presionin vetëm brenda vetes.
Për shkak të kësaj lidhjeje, trajtim i ankthit dhe depresionit përmes psikoterapisë, veçanërisht terapisë kognitive-biheviorale, ndihmon edhe në reduktimin e simptomave të sindromës së mashtruesit, duke forcuar vetëvlerësimin dhe ndjenjën e kompetencës personale. Prandaj është e rëndësishme të bisedoni me një psikolog.
Strategjitë Psikologjike Për Menaxhimin E Sindromës Imposter
- Identifikoni mendimet automatike negative dhe sfidojini ato me fakte reale për aftësitë dhe arritjet tuaja.
- Pranoni komplimentet, pa i minimizuar ose justifikuar. Një “faleminderit” është i mjaftueshëm.
- Dokumentoni sukseset, qoftë edhe ato të vogla, për t’i rikujtuar vetes progresin tuaj.
- Vendosni kufij realistë, për të shmangur perfeksionizmin dhe punën e tepruar.
- Flisni hapur me persona të besuar; normalizimi i këtyre ndjenjave shpesh i zvogëlon ato.
Ndërhyrja psikologjike ndihmon në identifikimin e këtyre lidhjeve, në sfidimin e mendimeve negative dhe në ndërtimin e një marrëdhënieje më të shëndetshme me veten.
Nëse sindroma e mashtruesit po ndikon në vetëbesimin, karrierën ose mirëqenien tuaj, një psikolog në Tiranë mund t’ju ndihmojë të përballoni ankthin dhe të jeni më të sigurt në hapat që hidhni. Psikoterapia ofron mbështetje praktike për të ndryshuar modelet negative të mendimit, për të ndërtuar vetëbesim dhe për të menaxhuar stresin në mënyrë të shëndetshme.
Rezervoni një takim pranë Klinikës EGO!
BURIME
Clance, P.R., & Imes, S.A. (1978). The Impostor Phenomenon in High Achieving Women: Dynamics and Therapeutic Intervention. Psychotherapy: Theory, Research & Practice, 15(3), 241–247.
American Psychological Association – Anxiety and Depression
Psychology Today – Imposter Syndrome