Emocionet janë pjesë thelbësore e jetës. Ato ndikojnë në mënyrën si mendojmë, si veprojmë dhe si lidhemi me të tjerët. Megjithatë, shumë njerëz nuk janë mësuar t’i njohin apo t’i përpunojnë emocionet e tyre, por vetëm t’i shtypin ose t’i shmangin. Procesimi emocional nuk do të thotë të “heqim qafe” emocionet e vështira, por t’i kuptojmë dhe t’i përballojmë ato në mënyrë të shëndetshme.
Pse Është E Rëndësishme Të Njohim Emocionet Tona?
Njohja e emocioneve është hapi i parë drejt mirëqenies emocionale.
Çfarë ndodh kur nuk i identifikojmë emocionet?
- Ato shpesh shfaqen në formë ankthi, irritimi ose lodhje mendore
- Mund të ndikojnë negativisht në vendimmarrje
- Rritet rreziku i problemeve të shëndetit mendor
Kur arrijmë t’i emërtojmë emocionet (p.sh. trishtim, zemërim, frikë, zhgënjim), krijojmë distancë mes vetes dhe ndjenjës, duke e bërë më të lehtë përballimin e saj.
Diferenca Midis Emocioneve Dhe Reagimeve Impulsive
Emocioni është një përjetim i brendshëm, ndërsa reagimi impulsiv është mënyra se si veprojmë nën ndikimin e atij emocioni.
Shembull
Emocioni: zemërim → Reagimi impulsiv: Të bërtasim, të fajësojmë, zënka
Emocioni: frikë → Reagimi impulsiv: shmangie,prokastinim
Emocioni: trishtim → Reagimi impulsiv: izolim total
Emocioni është ajo që ndjejmë.
Reagimi impulsiv është ajo që bëjmë pa reflektuar.
Procesimi emocional na ndihmon të:
- Ndjejmë emocionin pa vepruar menjëherë
- Zgjedhim një reagim më të ndërgjegjshëm
- Mos dëmtojmë veten apo të tjerët
Një person ndihet vazhdimisht i irrituar në punë. Në sipërfaqe duket si nervozizëm, por kur ndalet dhe reflekton, kupton se në thelb ndjen zhgënjim dhe ndjenjë mosvlerësimi. Vetëm duke e njohur këtë emocion, ai mund të veprojë ndryshe (të flasë, të vendosë kufij, ose të kërkojë ndryshim).
Njohja e emocioneve na ndihmon të mos jetojmë në “autopilot”.
Si Mund Të Procesojmë Emocionet?
Journaling – shkrimi që çliron mendjen
Shkrimi është një mënyrë shumë efektive për të nxjerrë emocionet jashtë mendjes. Shkrimi i ndjenjave ndihmon në:
- Qartësimin e mendimeve
- Uljen e ngarkesës emocionale
- Identifikimin e modeleve emocionale
Ushtrim praktik
Çdo mbrëmje përgjigju këtyre pyetjeve:
- Çfarë ndjeva sot?
- Kur u shfaq ky emocion?
- Çfarë po përpiqet të më tregojë?
Shembull
“Sot u ndjeva i lodhur dhe i irrituar. Në fakt, kuptova që ndjeva presion dhe frikë se mos nuk jam mjaftueshëm i mirë.”
Meditimi dhe vetëdija (mindfulness)
Meditimi ndihmon të vëzhgojmë emocionet pa i gjykuar. Nuk përpiqemi t’i ndryshojmë, por thjesht t’i vërejmë. Kjo:
- Ul stresin dhe ankthin
- Rrit kontrollin emocional
- Forcon lidhjen me trupin dhe mendjen
Kur ndjen ankth:
- ndalo për 1 minutë
- vëzhgo frymëmarrjen
- thuaj me vete: “Po ndiej ankth, por jam i sigurt tani”
Kjo e ul intensitetin emocional dhe rrit kontrollin.
Frymëmarrja e thellë
Teknikat e frymëmarrjes ndihmojnë në qetësimin e sistemit nervor, veçanërisht kur emocionet janë intensive.
- Frymëmarrja e ngadaltë dërgon sinjal sigurie në tru
- Ndihmon të ndalojmë reagimet impulsive
Ushtrim praktik:
- merr frymë për 4 sekonda
- mbaje për 4 sekonda
- nxirre për 6–8 sekonda
Përsërite 3–5 herë. Kjo ndihmon trurin të qetësohet.
Psikoterapia – kur emocionet kanë rrënjë më të thella
Psikoterapia është një proces bashkëpunues mes teje dhe psikologut, i cili synon të të ndihmojë të kuptosh më mirë emocionet, mendimet dhe sjelljet e tua. Psikologu nuk të gjykon, nuk të thotë çfarë të bësh dhe nuk të “rregullon” por të ndihmon të shohësh qartë atë që po ndodh brenda teje.
Psikoterapia të ndihmon të mos ikësh nga emocionet, por t’i përballosh ato në mënyrë të shëndetshme.
Shembuj praktikë:
- Nëse ndihesh shpesh i mbingarkuar emocionalisht, psikologu të ndihmon të kuptosh burimin e kësaj ndjenje dhe si ta menaxhosh.
- Nëse reagimi yt i parë është mbyllja ose shpërthimi emocional, terapia të ndihmon të krijosh një pauzë mes ndjenjës dhe veprimit.
- Nëse përjeton ankth, faj ose turp pa arsye të qartë, psikoterapia ndihmon në zbërthimin e këtyre emocioneve.
Kur Është Momenti I Duhur Për Të Folur Me Një Psikolog?
Psikoterapia është e dobishme nëse:
- emocionet po ndikojnë në marrëdhënie ose punë
- ndihesh i bllokuar emocionalisht
- ke ankth të vazhdueshëm ose lodhje mendore
- ndjen se i shtyp emocionet për të funksionuar
- Nuk është e nevojshme të jesh në krizë për të kërkuar ndihmë.
Të mësosh si të procesosh emocionet do të thotë të kujdesesh për veten, për marrëdhëniet dhe për shëndetin mendor. Nuk është një proces i menjëhershëm, por çdo hap i vogël bën ndryshim të madh.
Të kërkosh ndihmë psikologjike nuk është shenjë dobësie, por kujdes për veten. Një psikolog të ndihmon të kuptosh veten më mirë, të ndërtosh qetësi emocionale dhe të përmirësosh cilësinë e jetës.
Rezervo një seancë me psikolog në Tiranë pranë Klinika Ego
BURIME
How to Process Emotions: A Step-by-Step Approach to Managing Emotions-Mental Health Center Kids
How to understand and manage your emotions-Mental Health Foundation