Skizofrenia nuk është ajo që shihni në filma
Kur dëgjojnë fjalën skizofreni, shumë njerëz mendojnë për “personalitete të shumëfishta”, agresivitet ose humbje totale të kontaktit me realitetin. Në fakt, këto janë mite.
Skizofrenia është një çrregullim serioz i shëndetit mendor që ndikon në mënyrën si një person mendon, percepton realitetin, përjeton emocionet dhe ndërvepron me të tjerët. Me trajtimin e duhur, shumë persona arrijnë të jetojnë një jetë funksionale, të punojnë dhe të krijojnë marrëdhënie të qëndrueshme.
Rast Klinik: Psikoza E Parë E Skizofrenis Tek Një Vajzë 13-Vjeçare Dhe Rikuperimi Përmes Terapisë Psikologjike
Një rast përshkruan historinë e një vajze 13-vjeçare, e cila u paraqit pas zhvillimit të një episodi të parë psikotik. Para fillimit të simptomave, ajo kishte pasur vetëm një histori të mëparshme të çrregullimit të përshtatjes (adjustment disorder) të lidhur me bullizmin në shkollë, nga i cili ishte rikuperuar plotësisht.
Shenjat e para
Familjarët vunë re ndryshime të dukshme në sjelljen e saj. Ajo u bë më sfiduese, shfaqte irritim të shtuar dhe sjellje që nuk përputheshin me personalitetin e saj të mëparshëm. Fillimisht këto ndryshime u interpretuan si probleme të adoleshencës.
3 javë më vonë
Vajza filloi të:
- shkëputej nga realiteti,
- qeshte pa arsye të dukshme,
- kishte rënie të ndjeshme të performancës në shkollë,
- fliste në mënyrë të paorganizuar dhe jo koherente,
- shfaqte lëvizje stereotipe të gojës dhe dorës së djathtë.
Për shkak të fillimit të papritur të simptomave, ajo u shtrua fillimisht në repartin e pediatrisë për të përjashtuar shkaqe neurologjike ose infektive. Rezonanca magnetike cerebrale, analizat testet mikrobiologjike dhe ekzaminimet për encefalit autoimun rezultuan pa gjetje që shpjegonin simptomat. Pas përjashtimit të shkaqeve organike dhe vlerësimit psikiatrik, u vendos diagnoza e skizofrenisë me fillim të hershëm (early-onset schizophrenia).
Trajtimi
Pacientja u trajtua me medikamente antipsikotike, ndërsa paralelisht mori mbështetje psikologjike dhe psikoedukim për familjen. Gjatë ndjekjes klinike u vu re një reduktim progresiv i simptomave psikotike dhe një përmirësim i funksionimit të saj social dhe akademik. Studimet theksojnë se ndërhyrja e hershme multidisiplinare, që përfshin psikiatrin, psikologun dhe familjen, është thelbësore për prognozën afatgjatë. Në këtë rast u përdor një qasje psikoterapeutike e quajtur Metacognitive Reflection and Insight Therapy (MERIT), e cila synon:
- përmirësimin e aftësisë për të reflektuar mbi mendimet dhe emocionet,
- rritjen e vetëkuptimit,
- përmirësimin e aftësisë për të kuptuar perspektivat e të tjerëve,
- forcimin e identitetit personal përtej diagnozës.
Skizofrenia është një çrregullim kronik dhe objektivi i trajtimit është kontrolli i simptomave dhe përmirësimi i funksionimit, jo domosdoshmërisht “shërimi i plotë”.
Çfarë Është Skizofrenia?
Skizofrenia është një çrregullim psikotik kronik që ndikon në mënyrën se si individi mendon, percepton realitetin, përjeton emocionet dhe sillet. Nuk bëhet fjalë për “personalitete të shumëfishta”, siç besohet shpesh gabimisht, por për një çrregullim kompleks që mund të ndikojë ndjeshëm në funksionimin social, profesional dhe personal.
Sipas DSM-5 dhe psikologëve, diagnoza vendoset vetëm pas një vlerësimi klinik të plotë nga profesionistët e shëndetit mendor.
Shenjat E Hershme Që Nuk Duhen Neglizhuar
Në shumë raste, ndryshimet fillojnë muaj ose vite përpara episodit të parë psikotik.
Disa shenja mund të jenë:
- Izolim i papritur nga familja dhe miqtë
- Rënie e performancës në shkollë ose punë
- Dyshim i tepruar ndaj të tjerëve
- Ndryshime të forta të humorit
- Pagjumësi
- Vështirësi në përqendrim
- Neglizhencë ndaj higjienës personale
- Sjellje të pazakonta ose komente që duken të pakuptimta
Këto shenja nuk nënkuptojnë domosdoshmërisht skizofreni, por meritojnë një vlerësim profesional.
Sipas Manualit Diagnostik dhe Statistikor të Çrregullimeve Mendore (DSM-5-TR), skizofrenia diagnostikohet kur një individ shfaq një kombinim simptomash karakteristike që ndikojnë në funksionimin e përditshëm.
Për diagnozën kërkohet prania e dy ose më shumë simptomave kryesore për një periudhë të konsiderueshme gjatë një muaji. Të paktën njëra prej tyre duhet të jetë:
1.Deluzione
- Bindja se dikush po e ndjek ose po përpiqet ta dëmtojë.
- Besimi se ka aftësi ose rëndësi të veçantë që nuk mbështetet nga realiteti.
- Interpretimi i gabuar i ngjarjeve të zakonshme.
2.Halucinacione
- Dëgjimi i zërave që të tjerët nuk i dëgjojnë.
- Përjetime vizuale ose shqisore të pazakonta.
3.Çrregullime në të menduar dhe të folur
Personi mund të ketë vështirësi në organizimin e mendimeve, duke rezultuar në komunikim të vështirë për t’u ndjekur.
4. Sjellje të tjera
- Mungesë iniciative dhe vështirësi për të filluar aktivitete.
- Anhedoninë: ulje të aftësisë për të përjetuar kënaqësi.
- Asocialitetin: tërheqje nga marrëdhëniet sociale.
- Shprehje emocionale të reduktuar: vështirësi në shfaqjen e emocioneve.
Psikologët dhe psikiatrit nuk vlerësojnë vetëm atë që shfaqet në sipërfaqe, por përpiqen të kuptojnë proceset mendore, emocionet dhe faktorët që ndikojnë në mënyrën se si një person percepton dhe përjeton realitetin.
Gjatë procesit diagnostik është e rëndësishme të vlerësohet edhe prania e çrregullimeve bashkëshoqëruese që janë:
- Çrregullimet e ankthit (çrregullimi i ankthit të përgjithësuar, çrregullimi i panikut, ankthi social)
- Çrregullimi obsesiv-kompulsiv (OCD)
- Çrregullimet depresive
- Çrregullimi i stresit post-traumatik (PTSD)
- Çrregullimet nga përdorimi i substancave (alkool, drogëra)
- Çrregullimet e gjumit
- Çrregullimet e personalitetit
- Çrregullimet neurozhvillimore (p.sh. ADHD ose çrregullime të spektrit të autizmit në disa raste)
- Çrregullime të tjera psikotike ose të humorit që kërkojnë vlerësim diferencial
Si Trajtohet Skizofrenia?
Trajtimi nuk bazohet vetëm te medikamentet. Një plan i plotë zakonisht përfshin
Medikamente antipsikotike
Janë trajtimi kryesor për kontrollin e simptomave psikotike dhe uljen e rrezikut të rikthimit.
Psikoterapi
Psikologu ndihmon personin të:
- kuptojë simptomat,
- zhvillojë strategji për përballimin e stresit,
- përmirësojë aftësitë sociale,
- rikthehet gradualisht në aktivitetet e përditshme,
- rrisë ndërgjegjësimin për sëmundjen.
Rehabilitim psikosocial
Ndihmon në:
- rikthimin në punë ose shkollë,
- zhvillimin e aftësive sociale,
- rritjen e pavarësisë.
Edukimi i familjes
Studimet tregojnë se kur familja mëson rreth skizofrenisë dhe përfshihet në trajtim, ulen rikthimet në spital, përmirësohet funksionimi i pacientit dhe zvogëlohet stresi i kujdestarëve.
Si Mund Të Ndihmojnë Familjarët Dhe Miqtë?
Mbështetja e njerëzve të afërt është një nga faktorët më të rëndësishëm në ecurinë e skizofrenisë.
Ja disa mënyra konkrete:
- Dëgjoni pa gjykuar.
- Mos debatoni për deluzionet apo halucinacionet.
- Inkurajoni vazhdimin e trajtimit.
- Ndihmoni në krijimin e një rutine ditore.
- Mbani komunikim të qetë dhe të respektueshëm.
- Shmangni kritikat e vazhdueshme dhe konfliktet e forta.
- Mësoni sa më shumë rreth çrregullimit.
Studimet tregojnë se familjet që marrin pjesë në programe psikoedukuese përmirësojnë komunikimin, reduktojnë barrën emocionale dhe kontribuojnë në uljen e rikthimeve të sëmundjes.
BURIME
American Psychiatric Association. Diagnostic and Statistical Manual of Mental Disorders, Fifth Edition, Text Revision (DSM-5-TR). American Psychiatric Publishing; 2022.
World Health Organization (WHO). Schizophrenia. National Institute for Health and Care Excellence (NICE). Psychosis and schizophrenia in adults: prevention and management