Histori Personale
Dita kur pata sulmin tim të parë të panikut është një ditë që do ta kujtoj gjithmonë. Arsyeja është e thjeshtë: ishte dita më e frikshme e jetës sime.
Në atë kohë isha vetëm rreth 16 vjeç, në vitet e para të gjimnazit. Deri atëherë, shqetësimet e mia më të mëdha ishin këto pëlqimet e vogla të moshës dhe nga kush do ta kopjoja detyrat e matematikës. Dija shumë pak për ankthin dhe nuk kisha dëgjuar kurrë më parë për një sulm paniku. Nuk e imagjinoja se sa ndikim do të kishin ankthi dhe sulmet e panikut në jetën time.
Si shumë adoleshentë, edhe unë po përjetoja ndryshime të mëdha hormonale që ndikonin në mendjen dhe trupin tim. Duke qenë natyrë kurioz, po bëhesha gjithnjë e më i vetëdijshëm për çdo ndjesi fizike. Çdo ndryshim i vogël në trup më zgjonte njëkohësisht kureshtje dhe frikë se mos kisha ndonjë sëmundje. Një ndjesi më shqetësonte më shumë se të tjerat: rrahjet e parregullta të zemrës (palpitacionet).
Sot, duke e parë me përvojën që kam, e di se ato palpitacione ishin krejtësisht të padëmshme. Shfaqeshin herë pas here, ndoshta për shkak të kafeinës ose thjesht si pjesë normale e zhvillimit të trupit. Por në atë kohë më tmerronin. Ishja i bindur se diçka nuk shkonte me zemrën time.
Sulmi Im I Parë I Panikut
Sulmi im i parë i panikut erdhi krejt papritur. Nuk po bëja asgjë stresuese apo të vështirë. Isha në dhomën e prindërve të mi duke folur me nënën.
Papritur ndjeva një nga ato palpitacionet e zakonshme. Nuk ishte asgjë e fortë, vetëm një ndjesi e lehtë “dridhjeje” në kraharor. Megjithatë, këtë herë më kapi në befasi.
Ajo ndjesi ishte e mjaftueshme që trupi im të aktivizonte reagimin “lufto ose ik” (fight or flight). Për ndonjë arsye, truri im më tha: “Diçka e keqe po ndodh me zemrën tënde.”
Brenda pak sekondash, zemra filloi të më rrihte shumë shpejt dhe mendimet më dolën jashtë kontrollit. Edhe frymëmarrja ndryshoi. Ndihesha sikur nuk po merrja dot mjaftueshëm ajër, edhe pse po përpiqesha të merrja frymë me gjithë forcën.
I hutuar, dola nga dhoma dhe shkova në sallon. Mendova se ndoshta nëse lëvizja pak, do të ndihesha më mirë. Pak minuta më vonë isha shtrirë në divan, plotësisht i bindur se po vdisja.
Ankthi vetëm sa po rritej dhe unë ende nuk e dija çfarë ishte një sulm paniku. Më në fund, ashtu si ndodh me çdo sulm paniku, edhe ky përfundoi.
Mbeta i dridhur, i hutuar, pa energji dhe shumë i lodhur. Më e keqja ishte se kisha më shumë pyetje sesa përgjigje për atë që sapo kisha përjetuar.
Mendimet që më kalonin vazhdimisht në mendje ishin:
- “Çfarë më ndodhi?”
- “Po sikur të kem një sëmundje serioze që askush nuk e ka zbuluar?”
- “Po sikur të më ndodhë përsëri?”
- “Po sikur herën tjetër të mos kalojë?”
- “A mund të vdes nga kjo?”
- “Po sikur të jem duke humbur kontrollin ose të jem duke u çmendur?”
- “A do të jem ndonjëherë përsëri si më parë?”
Sulme të tjera paniku
Pas disa kërkimeve, mësova se ajo që kisha përjetuar ishte një sulm paniku. Madje bëra edhe një elektrokardiogramë (EKG), e cila tregoi se zemra ime ishte plotësisht në rregull. Kjo më qetësoi disi, por nuk ishte fundi i historisë.
Edhe pse tani e dija se çfarë ishte një sulm paniku, ende nuk dija si ta ndaloja apo si ta parandaloja.
Madje, përvoja e parë kishte qenë aq traumatike, sa zhvillova frikë nga vetë sulmet e panikut.
Pikërisht kjo frikë e vazhdueshme bëri që të zhvilloja atë që quhet Çrregullimi i Panikut (Panic Disorder).
Ankthi filloi të ndikonte në çdo aspekt të jetës sime. Aktivitetet që dikur i shijoja u kthyen në burim frike.
Një sulm paniku në makinë më bëri të zhvilloja klaustrofobi dhe të shmangja udhëtimet.
Një sulm paniku në klasë më bëri të kisha ankth social dhe frikë nga të folurit në publik.
Dhe kështu vazhdoi.
Fillova të shmang çdo vend apo situatë që e lidhnin në mendjen time me një sulm paniku. Zona ime e rehatisë po zvogëlohej dita-ditës dhe ankthi po merrte kontrollin mbi jetën time.
E kuptova se nuk mund të vazhdoja të jetoja kështu.
Si Fillova Ta Mposht Ankthin
Do të gënjeja po të thosha se rruga drejt shërimit ishte e shkurtër ose e lehtë.
Sot ende kam ditë kur ndihem më i stresuar, si çdo njeri, por nuk jetoj më me frikën e sulmeve të panikut dhe ndihem në kontroll të mirëqenies sime mendore.
Duke parë pas, këto ishin katër hapat më të rëndësishëm që më ndihmuan:
1. Mëso
Informohu sa më shumë për ankthin dhe sulmet e panikut. Kupto çfarë janë, pse ndodhin dhe si funksionojnë. Mëso edhe teknika praktike që ndihmojnë për ta menaxhuar një sulm paniku kur ai shfaqet.
2. Parandalo
Puno për të ulur nivelin e përgjithshëm të ankthit. Aktiviteti fizik, joga, meditimi, ushqyerja e shëndetshme dhe kujdesi për trupin dhe mendjen janë mënyra të mira për ta bërë këtë.
3. Përdor burimet që ke në dispozicion
Lexo libra dhe artikuj, shiko video edukative dhe, nëse është e nevojshme, konsultohu me profesionistë të shëndetit mendor për të gjetur strategjitë që të përshtaten më mirë.
4. Përballu me frikën
Kur është e mundur, dil gradualisht nga zona jote e rehatisë dhe përballu me situatat që të frikësojnë. Nuk ka rëndësi sa të vegjël janë hapat. E rëndësishme është të ecësh përpara, jo të tërhiqesh gjithnjë e më shumë drejt shmangies.
Pasi përjetova disa sulme paniku, kuptova se nuk mund ta përballoja më vetëm. Nuk kisha më frikë vetëm nga simptomat, por edhe nga mundësia që një sulm tjetër të ndodhte në çdo moment.
Në atë moment vendosa të kërkoja ndihmën e një psikologu. Në fillim besoja se do të më thoshte si ta ndaloja menjëherë ankthin, por gjëja e parë që mësova ishte se sulmet e panikut nuk janë të rrezikshme. Ato janë rezultat i një sistemi nervor që aktivizohet gabimisht, edhe pse nuk ekziston një rrezik real.Rrënjët mund të jenë shkak I ankthit të akumuluar,traume ose përvoja të pa zgjidhura.
Psikologu më ndihmoi të kuptoja se sa më shumë përpiqesha ta luftoja panikun, aq më shumë ai zgjaste. Qëllimi nuk ishte ta “ndaloja” me forcë, por ta pranoja si një valë që do të kalonte vetë.
Ushtrimet Që Më Mësoi Psikologu
Kur filloja të ndieja simptomat, më këshilloi të:
- T’i thosha vetes: “Ky është një sulm paniku. Do të kalojë.”
- Të ngadalësoja frymëmarrjen (4 sekonda frymëmarrje, 6–8 sekonda nxjerrje e ajrit).
- Të përdorja teknikën 5-4-3-2-1 për t’u rikthyer në momentin e tanishëm.
- Të mos largohesha menjëherë nga situata, nëse ishte e sigurt.
- Të mos kontrolloja vazhdimisht pulsin apo simptomat.
Mësimi më i rëndësishëm ishte ky: Qëllimi nuk është të mos ndiesh më ankth, por të mos kesh më frikë nga ankthi. Kur frika ndaj simptomave zvogëlohet, edhe sulmet e panikut bëhen më të rralla dhe më të lehta.
Ta mposhtja panikun ishte një rrugëtim i vështirë, kryesisht sepse në atë kohë nuk kisha informacionin dhe mbështetjen që ekziston sot.
Dhe mbi të gjitha, mbaj mend një gjë,
Këto ndjesi, sado të frikshme të duken, janë të përkohshme.
Ti mund ta kalosh këtë.